Arbër Hajdari ka reaguar ashpër pas deklaratave të Erion Veliajt, i cili, përmes një letre të publikuar nga burgu, pretendoi se kryeministri Edi Rama i kishte kërkuar të hiqte dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe t’ia delegonte atë Hajdarit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hajdari ka hedhur poshtë çdo përfshirje në këtë çështje, duke i cilësuar pretendimet e Veliajt si thashetheme dhe fantazi që nuk kanë asnjë lidhje me të.
“Më mbytën mesazhet për thashethemet e Erion Veliajt. Jam pa fjalë dhe nuk e kuptoj pse paskam rënë unë këtë herë në çorbën e fantazive të zotërisë!”, shkruan Hajdari.
Por ai nuk është ndalur me kaq. Me tone ironike, Hajdari ka theksuar se nuk ka pasur kurrë ambicie për të marrë një post në Bashkinë e Tiranës, duke thumbuar drejtpërdrejt kryebashkiakun.
“Unë nuk kam lidhje me këtë histori penale-politike dhe as jam i papunë, as kam ëndërruar ndonjëherë të më punësojë, larg qoftë, Lali Eri!”, shprehet ai.
Reagimi vjen pas publikimit të një letre nga Erion Veliaj, në të cilën ai pretendonte se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i kishte përcjellë gjatë një takimi në burg tri kërkesa në emër të kryeministrit Edi Rama.
Sipas pretendimeve të Veliajt, një prej kërkesave ishte që ai të tërhiqej nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe t’ia delegonte këtë detyrë Arbër Hajdarit.
Megjithatë, ministri Toni Gogu e ka mohuar versionin e kryebashkiakut, duke deklaruar se gjatë takimit nuk ka përcjellë mesazhe apo kërcënime në emër të Ramës.
Ndërkohë, Hajdari ka bërë të qartë se nuk dëshiron të përfshihet në këtë përplasje, duke theksuar se mbetet i përqendruar te angazhimet e tij dhe ndihma ndaj njerëzve në nevojë.
“Fundjava ime mbetet gjithnjë ndryshe, mes njerëzve në nevojë. E gjithë java e politikës po njësoj, mes llafeve të kota. Pa merak miq, unë jam Arbëri i fundjavës”, përfundon ai.
Deklaratat e Veliajt dhe reagimi i Hajdarit kanë sjellë një tjetër përplasje publike, ndërsa pretendimet e ngritura në letrën e kryebashkiakut mbeten të pakonfirmuara.


