Gazetari dhe aktivisti Marin Mema ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e tij se nuk ka asnjë synim për t’u përfshirë në politikë, pavarësisht se emri i tij përmendet herë pas here në diskutimet për figura që mund të drejtojnë vendin.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Mema ka kundërshtuar publikimet ku përfshihet emri i tij në lista të ndryshme politike, duke i cilësuar ato si përpjekje për të tërhequr klikime.
Ai thekson se dëshira për ndryshim dhe për një të ardhme më të mirë për vendin nuk nënkupton domosdoshmërisht ambicie personale apo synime për të marrë poste politike.
“Unë e kam bërë të qartë prej vitesh se nuk kam synime të përfshihem në politikë. Nuk kam! Postime të tilla me lista e të tjera me radhë bëhen, për fat të keq, për klikime. Të duash ndryshimin për mirë të vendit nuk do të thotë se ke synime personale politike!”, shkruan Mema.
Më tej, gazetari shprehet se nuk dëshiron të mbajë poste apo të identifikohet me ngjyra partiake, duke theksuar se qëndrimi i tij lidhet me një mision që e konsideron kombëtar.
“Nuk dua as karrige, as pozita, as ngjyrosje me ngjyra partiake! Unë kam vetëm ngjyrat kombëtare dhe nuk dua të ndaj, por të bashkoj! Misioni im është Bashkimi Kombëtar dhe ky do të jetë sa të kem frymë”, deklaron ai.
Në fund të reagimit, Mema u ka kërkuar faqeve dhe mediave që publikojnë lajme për të të tregohen korrekte dhe të mos i atribuojnë synime politike që ai thotë se nuk i ka.


