Elisa Spiropali ka bërë të ditur se faqja e saj zyrtare në Facebook është bllokuar prej tri ditësh, duke njoftuar se po bashkëpunon me kompaninë Meta për rikthimin e aksesit.
Përmes një postimi në Instagram, Spiropali ka sqaruar se aktualisht nuk mund të përdorë faqen e saj në Facebook. Ajo u ka kërkuar ndjekësve që, deri në një njoftim të dytë, ta kontaktojnë përmes Instagramit.
Njoftimi vjen në një periudhë kur deklaratat e saj për zhvillimet politike në vend kanë marrë vëmendje të madhe. Së fundmi, Spiropali i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të “hapë krahun”, duke nxitur diskutime për të ardhmen politike dhe një rotacion të mundshëm brenda Partisë Socialiste.
Ndërkohë, protestat studentore në Tiranë dhe tensionet politike kanë shtuar vëmendjen ndaj qëndrimeve të figurave publike.
Megjithatë, deri tani nuk ka të dhëna që bllokimi i faqes së Spiropalit të ketë lidhje me deklaratat e saj politike. Shkaku i problemit nuk është bërë i ditur, ndërsa ajo pret zgjidhjen nga Meta.


